Udhëzues zyrtar i KrojTech Builder

Si të krijosh video me AI në KrojTech Builder

Në aplikacionin KrojTech Builder, te Krijo video, përshkruan me fjalët e tua videon që do, dhe AI-ja e kthen përshkrimin në një plan dhe pastaj në video. Mund të shtosh edhe foto ose video të tuat, për shembull të produktit, të dyqanit ose të një personi. Nëse ke vetëm një ide, kjo guidë të tregon si ta kthesh në një prompt të qartë: çfarë të shkruash, me shembuj gati për kopjim, dhe si t'i kërkosh ChatGPT-së ta shkruajë për ty.

Si të shkruaj një prompt për KrojTech Builder?

Përshkruaje videon ashtu siç do t'ia shpjegoje një kameramani. Thuaj kush ose çfarë del, ku ndodh, çfarë bën, si filmohet dhe si duhet të dalë në fund. Një fjali e qartë për secilën mjafton. Sa më konkrete të jenë ngjyrat, vendi dhe lëvizja, aq më afër idesë tënde del videoja.

Subjekti
Një vajzë me pallto të kuqe
Ambienti
në një rrugë me kalldrëm në Gjirokastër, në mbrëmje
Veprimi
ecën, ndalet, kthehet nga kamera dhe buzëqesh
Kamera
e ndjek nga pas ngadalë dhe ndalet kur ajo kthehet
Rezultati
video vertikale, dritë e ngrohtë perëndimi, ritëm i qetë, pa tekst mbi video

Të bashkuara, këto bëhen një prompt i shkurtër:

Shembull

Një vajzë me pallto të kuqe ecën në një rrugë me kalldrëm në Gjirokastër, në mbrëmje. Ajo ndalet, kthehet nga kamera dhe buzëqesh. Kamera e ndjek nga pas me një lëvizje të ngadaltë dhe ndalet kur ajo kthehet. Video vertikale, dritë e ngrohtë perëndimi, ritëm i qetë, pa tekst mbi video.

  • Formati: shkruaj “vertikale 9:16” për Instagram Reels dhe TikTok, ose “horizontale 16:9” për YouTube dhe faqen tënde.
  • Fotot e tua: kur shton një foto, thuaj në prompt çfarë është (“produkti i fotos”, “vajza e fotos”, “dyqani si në foto”).
  • Çfarë nuk do: thuaje qartë, për shembull “pa tekst mbi video” ose “pa muzikë”.
  • Dialogu: nëse dikush flet, shkruaj fjalët e sakta në thonjëza dhe mbaji të shkurtra.

Ku ta shkruaj promptin në aplikacion

  1. Hap aplikacionin KrojTech Builder dhe zgjidh Krijo video.
  2. Ngjit promptin te fusha “Përshkruaj videon që do…”.
  3. Nëse ke foto ose video të tuat, shtyp + → Foto dhe video.
  4. Zgjidh rezolucionin poshtë fushës së shkrimit dhe dërgo mesazhin.
  5. AI-ja të tregon Planin me kreditet që kushton. Videoja krijohet vetëm kur shtyp Krijo. Nëse do ndryshime, shkruaji në chat.

Nga ideja te prompti

Tre shembuj se si një ide në një fjali kthehet në prompt të plotë. Janë shembuj shkrimi për t'u marrë si model: ndrysho produktin, vendin dhe njerëzit sipas biznesit tënd.

Shembull 1

Reklamë për një xhup në një mal me dëborë

Ideja: Dua një reklamë të shkurtër për xhupin tim të dimrit, në një mal me dëborë.

Prompti

Krijo një reklamë vertikale 9:16 për një xhup dimri. Një burrë rreth 30 vjeç, me xhup blu të errët me kapuç, qëndron në majë të një mali me dëborë herët në mëngjes, me diellin e ulët pas maleve. Era i lëviz lehtë kapuçin dhe dëbora e imët fluturon pranë tij. Ai mbyll zinxhirin deri në fyt, merr frymë thellë dhe shikon horizontin. Kamera fillon afër, te duart dhe zinxhiri, pastaj tërhiqet ngadalë dhe ngrihet lart derisa duken ai dhe vargu i maleve pas tij. Ngjyra të ftohta, qiell i pastër, pamje realiste si reklamë sportive. Pa tekst mbi video. Muzikë e qetë instrumentale.

Nëse ke foto të xhupit, shtoje me “+” → “Foto dhe video” dhe shkruaj “xhupi i fotos” në vend të përshkrimit të ngjyrës.

Shembull 2

Video për një kafene në Tiranë

Ideja: Dua një video për kafenenë time në Tiranë, që të duket e ngrohtë dhe të të hapet oreksi.

Prompti

Krijo një video vertikale 9:16 për një kafene të vogël në Tiranë, në mëngjes. Një bariste me përparëse ngjyrë kafe përgatit një kapuçino pas banakut prej druri: shtyp kafen, avulli del nga makina dhe ajo derdh qumështin duke vizatuar një zemër në filxhan. Pas saj duket salla me llamba të verdha të varura, bimë jeshile dhe dy klientë që bisedojnë pranë dritares. Kamera fillon shumë afër filxhanit, pastaj lëviz ngadalë anash dhe tregon banakun dhe sallën. Dritë natyrale e ngrohtë nga dritarja, ritëm i qetë, pamje realiste. Pa tekst mbi video. Tingulli i makinës së kafes dhe zhurmë e lehtë ambienti.

Nëse ke foto të kafenesë, shtoji me “+” → “Foto dhe video” dhe shkruaj “si në foto” për sallën dhe banakun.

Shembull 3

Prezantim produkti me dialog të shkurtër në shqip

Ideja: Dua një video ku një grua prezanton shishen tonë termike dhe thotë dy fjali në shqip.

Prompti

Krijo një video vertikale 9:16 për një shishe termike çeliku ngjyrë jeshile. Një grua rreth 28 vjeç, me bluzë të bardhë, qëndron në një kuzhinë moderne me dritë dite. Ajo mban shishen në dorë, e kthen nga kamera që të duket logoja dhe flet drejt kamerës me shqip të qartë, qetë dhe me buzëqeshje: "Kjo shishe e mban çajin të ngrohtë gjithë ditën. Merre me vete kudo që shkon." E thotë fjalinë vetëm një herë. Pastaj e vendos shishen mbi tavolinë dhe buzëqesh pa folur. Kamera e palëvizshme, në nivelin e syve, plan i mesëm nga beli lart. Pa muzikë, vetëm zëri i saj.

Mbaje dialogun të shkurtër dhe në thonjëza. Shiko videon kur të dalë: nëse diçka në të folur nuk të pëlqen, shkruaje në chat dhe kërko ndryshimin.

Si t’i kërkoj ndihmë ChatGPT?

Nëse nuk di nga t'ia nisësh, kopjo tekstin më poshtë te ChatGPT. Zëvendëso pjesën në kllapa me idenë tënde, dhe do të marrësh një prompt gati për ta ngjitur te Krijo video.

Kërkesa për ChatGPT

Lexo guidën zyrtare të KrojTech Builder te https://krojtech.com/builder/si-te-krijosh-video-me-ai. Ideja ime është: [shkruaj idenë tënde këtu]. Më jep një prompt të vetëm në shqip, gati për ta ngjitur në KrojTech Builder.